Wednesday, June 3, 2009

LAMTUMIRË, BASHKIM KOMBËTAR?

Shkruar nga:

VALMIR ELEZI

Ø

Në këtë kohë të integrimeve në organizata supershtetërore e mbinacionale, me të madhe flitet e shkruhet për zvogëlimin e rëndësisë së shteteve sovrane, për pranimin e zbehjes së identiteteve të tyre kombëtare, por, tri gjëra janë të pranishme në këtë mishmash idesh a preokupimesh. E para, ‘asnjë shtet nuk e harron territorin e tij’. E dyta, ‘mund ta vendosni një francez në Gjermani, por, ai, asnjëherë më shumë nuk do ta ndiejë veten të qenit francez’. Dhe, e treta, shtetet dhe kombet, padyshim se, nuk janë të mjaftueshme për vetvete. Shkalla e sotshme e zhvillimit, “i detyron” të gjitha kombet dhe shtetet e botës të hyjnë në kontakte dhe lidhje të shumëllojshme reciproke, fjala vjen: politike, ekonomike, deri te ato arsimore-kulturore. Andaj, duke qenë se kjo është prezente tek të gjithë, e poashtu edhe dallueshmëria, “të gjithë” e kanë pranuar (të paktën në ide) ‘unifikimin në diversitet’.

Ø

Sot ekziston ideja, të paktën ndër shqiptarë se, duke hyrë në Bashkimin Evropian, nënkuptojmë edhe bashkimin kombëtar, nën një ombrellë tjetër. Por, një ide tjetër e kundërt me këtë, është se, më parë duhet të arrihet bashkimi kombëtar, e pastaj, të bashkuar të hymë në këtë organizatë shtetesh. Dhe, e fundit, se, duke hyrë në një organizatë të tillë, rëndësia e identitetit kombëtar po zbehet, sepse, shtetet në mënyrë vullnetare, përmes një kontrate po heqin dorë nga disa pjesë të tyre, për ideale më të rëndësishme, që nuk janë në kundërshtim as me identitetet e tyre, porse, kjo heqje dorë nënkupton ta pranosh edhe tjetrin dhe të pranohesh nga tjetri. Pra, të bashkuar në dallueshmëri, është sllogani që mëton të realizohet kjo. Prandaj, kjo ideja e tretë, ku po zbehet identiteti kombëtar, më së shumti i kundërvihet idesë së bashkimit kombëtar si fillim, e më pak idesë së parë, ku bashkimin mund ta realizojmë dikund tjetër.

Ø

Në rastin e shqiptarëve gjendja është pak më ndryshe, sepse, për dallim nga të tjerët, hyrja në Bashkimin Evropian dhe pranimi i të tjerëve ashtu siç janë bëhet duke mos qenë në gjendje të japësh vlerësime për të tjerët, në fakt më i rëndësishëm është opinioni i tyre...

Ø

Në fillim të prillit, Republika e Shqipërisë u bë anëtar i ri, bashkë me Kroacinë, i NATO-s, dhe, më pastaj, kjo ka bërë kërkesën për të qenë vend kandidat për në BE. Qoftë anëtarësimi në NATO, apo edhe Kërkesa e saj për kandidate për anëtarësim në BE, bëhen duke mos planifikuar ndonjë strategji të përbashkët veprimi, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, si pranues të Pakos së Ahtisaarit, ne kemi pranuar mosndryshimin e kufinjëve të Kosovës. Sepse, ndër tjerash, aty thuhet se: “Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo të ndonjë pjese të ndonjë shtet”. Më shumë se kaq, ne kemi hequr dorë (të paktën në dokumenta) nga e kaluara jonë. Projekti i ndërtimit të shtetit të Kosovës nuk është mbështetur në të kaluarën, në atë që e dimë deri diku se çfarë ka qenë, poashtu, nuk është bazuar në sakrificën e brezave, të gjakut dhe truallit. Prandaj, kontrata që është pranuar (jo pa qëllim e cilësuar si ‘kompromis i dhimbshëm’), Kosovën e ka projektuar në idenë e asaj që do të ndodh, dhe që, në botën reale nuk mund ta prekësh, sepse kjo është shumë herët. E ardhmja, natyrisht se, nuk dihet çfarë do të jetë, porse, shihet me optimizëm, sidomos në rastin tonë.

Ø

Andaj, ngjarjet historike të ditëve të fundit, (veçmas anëtarësimi i Shqipërisë në NATO) po krijojnë bindjen e ndarjes së rrugëve për Kosovën dhe Shqipërinë, duke i menduar jo më si dy shtete që kanë qëllime të njëjta në raport mes vete. Por, si dy shtete që kanë qëllime të njëjta në raport me të tjerët. Kjo bindje mund të jetë krijuar edhe më herët, qysh me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pse? Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, pasvarësisht asaj që, mund të kenë simpati më të theksuar në raport me të tjera shtete, (e, kjo nuk mund të lë përshtypjen e të vepruarit si një shtet i vetëm) sepse, realisht jemi dy shtete, prandaj, do të jenë shtete normale në raport me anëtarë tjerë të Bashkimit Evropian, porse, edhe ndërmjet vete.

Ø

A duhet të rikthejmë kohën dhe të përmbysim gjithçka që është bërë? Natyrisht se jo. Madje kjo është e ditur, dhe që mëtohet. Sepse edhe po ta mendonim këtë, kjo është e pamundur. Por, ajo që duhet bërë është bashkërendimi dhe hartimi i politikave të përbashkëta, të cilat, lidhjen emocionale që ekziston sot, ta kthejnë në një lidhje fizike, e cila për shumë kohë nuk ka ekzistuar.

Botuar në gazetën EXPRESS, Prishtinë – 3 qershor 2009