HAZIRI: KOALICION PËR INTERESA SHTETËRORE, JO PËR ‘DASHNI’
- E ndien mungesën e Rugovës. Thotë që kjo mungesë po vërehet edhe në jetën tonë. Koalicionin me PDK-në e konsideron si interes shtetëror, e jo ‘dashni’.
- Thotë që LDK-ja është themeluese e kësaj Kosove që e jetojmë sot...
- Blerim Kuqit i ka uruar sukses në AAK.
- Periudhën e bashkëqeverisjes e konsideron si më historike që e ka pasur Kosova.
Flet Lutf Haziri, nënkryetar i LDK-së, në një intervistë të realizuar për Magazinën TREND
§
PRISHTINË, MAJ 2009 – LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS QË NGA FORMIMI I SAJ PO KALON NËPËR PERIUDHËN MË TË VËSHTIRË. DISA NGA FIGURAT E RËNDËSISHME NGA KJO PARTI, PAS ‘KUVENDIT TË KARRIKEVE’ IKËN DHE KRIJUAN NJË PARTI TË RE. NDËRSA SOT EMRA TJERA PO LARGOHEN NGA KJO PARTI. TË GJITHA KËTO PO NDODHIN NË LDK PAS VDEKJES SË RUGOVËS, E CILA, E KA TË PRANISHME MUNGESËN E TIJ.
Intervistoi: VALMIR ELEZI |
Z. Haziri, na intereson të dijmë se çfarë po ndodh në Lidhjen Demokratike të Kosovës?
Haziri: Ajo që po ndodh në LDK ka të bëjë me procesin e brendshëm të reformave. Në frymën koncensuale, LDK-ja po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha masave që kanë të bëjnë me implementimin e pakos së parë, tashmë të vendosur, besojmë që shumë shpejt do të hyjmë në procesin e ndërtimit të kornizës programore, të përgatitjes së procesit që definon vizionin për Kosovën europiane. Është hapi i dytë me të cilin LDK-ja do të paraqitet me platformë të re, e cila në ideologjinë rugoviane do të pretendon që ta përgatisim veten për zgjedhjet e ardhshme.
Ju përmendët ideologjinë rugoviane, në bazë të së cilës pretendon të vazhdon rrugën LDK-ja… A po arrin Lidhja Demokratike e Kosovës të gjejë vetën pas vdekjes së Rugovës?
Haziri: Po sigurisht që mungesa e themeluesit dhe liderit ndikon shumë te partia politike, në këtë rast edhe tek ne. Mungesa e tij, po vërehet edhe në jetën e Kosovës. Sidoqoftë, ndërtimi i atyre vlerave politike që është punuar shumë në këtë drejtim, mendojmë që është baza kryesore që në të ardhmen do të ecim. Vlerë politike është tolerance politike, mirëkuptimi, angazhimi i përbashkët për shtet, ruajtja e unitetit, bashkimi i njerëzve për qëllime që shteti të jetë funksional, demokratik dhe mbi të gjitha prosperues për njerëzit.
LDK-ja dhe LDD-ja thirren në filozofinë pacifiste të Rugovës... Por, ndodhi që LDD-ja u krijua pas një kuvendi jo paqësor… Komenti i juaj?
Haziri: LDD-ja është dal nga LDK-ja në shenjë të paknaqësive me zhvillimet në kuvendin e fundit, dhe absolutisht është vendim i tyre. Shihet rezultati që pas zgjedhjve të fundit ka ndikuar shumë në humbjen e LDK-së. Por, kështu e ka jeta politike, njerëzit e gjejnë veten dhe shkojnë në grupim tjetër. Rugova si filozofi i takon gjithë popullit të Kosovës, edhe si autoritet edhe si emër, dhe të gjithë atyre që e plotësojnë filozofinë e tij politike. Është një njeri që ka marrë shumë çmime
ndërkombëtare për politikën e tij, për angazhimin e tij në interes të drejtave dhe mbrojtjes së popullit të vet. Është diçka që gradualisht koha do ta dëshmojë. Por, ajo që do t’i ndajë edhe në Kosovë, është se, Rugovën ka njerëz që e kanë dashur së gjalli, që e kanë respektuar dhe mbështetur politikisht. Dhe ka njerëz që e dojnë Rugovën së vdekuri, që nuk kanë mundësi ta mbështesin politikisht që thirren në emër të tij. LDK-ja e
ka pasur për nder që ta ketë kryetar dhe themelues. Ai e ka lënë LDK-në mbrapa si vlerë në jetën politike në Kosovë, dhe unë mendoj që ne do të ecim kështu.
Po ua bëjë këtë pyetje me qëllim që të dijmë nëse LDK, në zgjedhjet e ardhshme do ta përdor për imazh figurën e Rugovës sikurse në zgjedhjet e kaluara?
Haziri: Do të jetë çështje e zhvillimeve në përgjithësi, por, në zgjedhjet lokale ne do të koncentrohemi në zgjedhjen e problemeve lokale, probleme që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve. Roli ynë do të definohet me program alternativ, me angazhime konkrete, me ofrimin e programit të çdo komune specifikisht, në mënyrë që njerëzit të votojnë për programe.
Të gjitha këto, fjala vjen, largimi i Kuqit nga partia, pastaj krijimi i një partie të re nga LDK-ja pas kuvendit të karrigeve, pse ndodhën të gjitha këto në një parti që shquhej për unitetin përbrenda saj?
Haziri: LDK-ja ka qenë një lëvizje e madhe politike, e cila ne vete ka pasur të gjitha grupet e ndryshme branda saj, ideologjike, të interesit dhe grupet specifike që kanë përfaqësuar diçka. Nga LDK-ja kanë dal 13 parti politike për këto nëntëmbëdhjetë vite dhe shumë individ kanë hyrë e kanë dal. Ajo që LDK po bënë në këtë fazë, është profilizimi i saj si parti qytetare, moderne, e qendrës së djathtë, që për ideologji të vetën
e ka bërthamën e atij që quhet nacionalizëm modern. Duke e ndërtuar jetën politike në këto vlera, mendoj se do të arrijmë të përballojmë sfidat e passtatusit dhe problemet që janë aktuale në jetën tonë.
Ju e përmendët që prej viteve ’90-ta nga LDK-ja kanë dal 13 parti, por, dalja e LDD-së vjen pas një kuvendi jo paqësor, që nxjerr në pah plasaritjet që kanë ekzistuar në këtë parti...
Haziri: Në kuvendin e fundit ka pasur konkurim për lidership, jo në kuptimin se kush do të jetë, por, trasuesi i kësaj politike... sepse ne kemi pasur 4 kandidatë për postin e Kryetarit, të cilët dy kanë hyrë në rrethin për zgjedhjen finale. Votimi ka qenë demokratik, i transmetuar direkt për publikun, janë shtrënguar duart... Gjithçka ka qenë në proces të asaj që quhet vlerë demokratike. Zhvillimet e mëvonshme të këtij kuvendi kanë bërë që t’i qesin hije të keqe LDK-së, fatëkeqësisht. Çdo ndarje nuk është e mirëpritur, dhe tash kemi të bëjmë me një problem tjetër politik, që unë rezervohem ta komentoj. Sidoqoftë, kemi qenë në një periudhë të shtetndërtimit, dhe këto janë pjesë të procesit demokratik, që mund të përballohen vetëm me unitet. Mbetet që koha ta dëshmojë këtë. LDK-ja mbetet parti themeluese e shtetit, e cila ka ditur ta
artikuloj qartë kërkesën e popullit në vitet ’90-ta. Është parti që ka bërë pajtimin politik mes njerëzve, si pjesë e procesit të brendshëm... tani jemi në rrethana tjera, duhet ta integrojmë Kosovën në NATO dhe BE, që nuk janë sfida të përballueshme në këtë gjendje që tani është Kosova...
Ju thatë që LDK ka themeluar shtetin e Kosovës. Cilin shtet? Atë të viteve ’90-ta, që nuk ka vlejtur, apo këtë të 2008-s?
Haziri: Këtë Kosovë që është sot, e ka themeluar LDK-ja. Sigurisht që secili qytetar e ka pjesën e vet e poashtu edhe miqtë tanë kanë kontribuar. Por, ne kemi qenë udhëheqës dhe vizionarë në ndërtimin e këtij shteti.
Është bërë e madhe largimi i Blerim Kuqit nga LDK-ja dhe kalimi i tij në AAK… Pse iku Kuqi nga LDK-ja?
Haziri: Besoj që duhet ta pyesni Kuqin për këtë…
Do të thotë nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga ana e LDK-së?
Haziri: LDK-ja nuk merret me vendimet e individëve. Ne e kemi mbështet, e kemi përgëzuar, i kemi uruar sukses. Tash e kemi konkurent, në kuptimin politik. Besoj që Aleanca e ka fituar një njeri të mirë.
AAK-ja përmes deklaratave zyrtare, ka thënë që ikja e Kuqit nga LDK-ja dhe përcaktimi i Kuqit me vetdëshirë për të konkuruar për kryetar të Suharekës, do të bëjë që kjo parti të humb bastionin e saj të dikurshëm, Suharekën. Komenti i juaj?
Haziri: Këto janë deklarata të partive politike dhe unë e respektoj synimin e tyre. Por, LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të jetë shumë konkuruese dhe partia kryesore rivale mbetet PDK-ja, ndërsa tjerat janë pjesë e procesit politik.
Çfarë janë përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet lokale?
Haziri: Do të mbahen kuvende të jashtëzakonshme në disa degë. Do të bëhen konsolidime të brendshme, ristrukturime, nominimet e hershme për kryetar të komunave, janë pjesë e politikave tona të përgatitjes për zgjedhjet.
Ju thatë që partia kryesore rivale e LDK-së është PDK-ja. Nëse flasim për më larg se zgjedhjet lokale, a e paramendoni një koalicion tjetër me PDK-në?
Haziri: Ne edhe këtë koalicion e kemi për interes të shtetit, nuk e kemi për ‘dashni’. Sepse, LDK-ja dhe PDK-ja, janë konkurent të natyrshëm politik, të cilat kanë pasur dallime ideologjike, vazhdojnë me qenë partner në qeverisje, vetëm për një motiv, ta ndërtojmë Kosovën. 17 shkurti nuk kishte për të qenë kaq i lehtë po të mos ishte ky koalicion kaq i madh. Besoj që një ditë kur LDK-ja do të arrij të bëhet parti e parë, në do të qeverisim edhe vetë. Por, aty ku është interesi i vendit, jemi të gatshëm të hyjmë në kompromise dhe sakrifica.
Si e vlerësoni këtë periudhë të bashkëqeverisjes?
Haziri: Periudha më historike që Kosova e ka pasur.
Magazina TREND, nr. 3 / Maj 2009, Prishtinë, Republika e Kosovës |