Tuesday, July 7, 2009

KUNDËRSHTIMI i MADH

Shkruar nga:

VALMIR ELEZI

Ø

Përcaktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ka zgjuar reagime të shumta, e, në mesin e zhurmaxhinjëve më të mëdhenj ishin opozita, e cila ndonëse deri diku me arsye (të paktën për motin e papërshtatshëm që presim të jetë i ngjashëm më atë të 17 nëntorit 2007), e deri diku sa për të luajtur rolin e opozitarit, që zakonisht është kundërshtues, për të mos qenë në linjë me vendimet e kundërshtarëve politik.

Ø

Në prag të zgjedhjeve, fushatat fillojnë edhe më herët. Kështu kishte filluar edhe me të tjerët që dikur ishin në opozitë, e, që, kishin formuar një bosht opozitar. Ndërsa ‘të tjerët’ e tashëm, këtë e filluan me vonesë për shkak të dështimit të krijimit të një boshti politik. Përderisa të parët ‘Qeverinë nën hije’ e kishin formuar si të vetëm për shkak të mos mungesës së kushteve, të dytët, duke mos pasur komoditetin nuk arritën të formonin një “qeveri” (jovendimmarrëse, por, si alternativë morale e paralele me atë legjitimuese), për shkak të mungesës së unifikimit përbrenda grupeve të ndryshme. Praktikat e partive opozitare në vende të ndryshme të botës, por, edhe në Kosovë, sidomos kur veprojnë, si ‘Qeveri nën hije’, kanë dhënë rezultate sidomos për ato parti që i kanë praktikuar, duke ia mundësuar edhe ardhjen në pushtet. Ngjashëm kishte vepruar edhe PDK, përmes KQM, duke e shëndërruar veten në një pasqyruese të një realiteti tjetër, për dallim nga ai që propagandohej nga të tjerët. Ky model britanik i “Qeverisjes nën hije”, paraqet qeveri opozitare, e cila funksionon si kundërqeveri e ekzekutivit zyrtar, e cila, pra logjikisht, formohet nga partitë opozitare, si alternativë ekzekutive dhe si formë e luftës politike që bënë opozita për të ardhur në pushtet. Kjo qeveri fiktive, përbëhet nga resorë të ngjashëm me atë të qeverisë zyrtare, duke ofruar zgjidhje që qëndrojnë pezull, të mosvëna në zbatim dhe që tregojnë dobësinë e vendimeve të marra. Çështjet e ngritura në debatet e fundit e kanë rikthyer deri diku gjendjen fragjile që ka ekzistuar kohë më parë këtu, dhe ka ngritur shqetësime që duhen qartësuar, e jo të mbesin në nivelin e një demagogjie politike.

Ø

Njëra nga çështjet tjera të ngritura është edhe, se, a do të marrin pjesë në këto zgjedhje serbët e Kosovës?! Duhet thënë se, qysh në fillim është krijuar baza e dyshimit. Është vënë në pikëpyetje pjesëmarrja e tyre, pasi që, serbëve të Kosovës i është menduar edhe një ditë tjetër për të votuar, nëse këtë nuk do të mund ta bënin në ditën e caktuar.

Ø

Kjo (ndoshta pavetëdijshëm) na ka larguar nga një dyshim tjetër. Pra, çështja e gjithë kësaj çështje është se, a do të jenë shqiptarët ata që do të jenë të gatshëm të dalin në zgjedhje?! Sepse, tanimë nuk mund të dyshohet vetëm për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por, edhe të shqiptarëve, të cilët duket se, nga një konstruksion i fjalëve të politikanëve, kanë filluar që përmes mospjesëmarrjes të ndëshkojnë politikat. Dikush do të thoshte se, vota do të duhej të ishte ajo që do të ndëshkonte politikat e një qeverie (në këtë rast lokale) duke e larguar nga pushteti. E, në këtë mënyrë të sjellte në pushtet njerëz tjerë. E saktë! Por, duke qenë se, ka munguar ndryshimi i gjendjeve edhe pasiqë është votuar (e ndërruar), mospjesëmarrja në votim është kundërshtimi më i madh që mund të ndodh.

Ø

Kultura politike në Kosovë, e qytetarit, nga një i ndikuar shumë lehtë, madje deri në absurditet duke mos lejuar ndryshimin e gjendjes ka filluar të ndryshoi qysh në zgjedhjet e kaluara. Prapëseprapë, kundërshtimi më i madh në zgjedhjet e kaluara ishte i shprehur në dy forma. E para, ndëshkimi përmes votës ata që nuk punuan në rritjen e mirëqenies. Dhe, e dyta, përmes mospjesëmarrjes (që ishte relevante), ngaqë nuk prisnin ndonjë ndryshim. Në fakt, në krahasim me të tjerët, ndryshimi ka ndodhur. Mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka të bëjë me luksin e tepruar dhe në këtë mënyrë përtesën, madje injorimin e gjithë kësaj, sikurse që mund ta kenë të tjerët, në vende tjera. Domëthënia kryesore e gjithë kësaj është se, këtu mund të ndryshohet, e ndëshkohet.

Ø

Lawrence Mayer, kulturën politike e ka radhitur si njërin nga faktorët kryesor që ndikojnë në formimin e identitetit politit të vendëve. Sipas kësaj teorie qëndrimet politike mund të jenë: autoritariste, barazitare dhe respektuese. Qëndrimi autoritarist, nënkupton: besimin e verbërt të qyetarëve për pushtetmbajtësit, duke i konsideruar si të pagabueshëm dhe duke mos kërkuar llogari nga ata që i kanë zgjedhur. Qëndrimi barazitar, konsiston në faktin që, qytetarët janë të bindur se çdonjëri nga pjesëtarët e tyre mund dhe është në gjendje të qeverisë me vendin. Dhe, qëndrimi respektues, konsiston në një përzierje midis dy qëndrimeve të përmendura. Duke filluar nga nëntori i 2007-ës, është “thyer” tradicionalizmi i të votuarit që nuk ndryshonte asgjë. Në fakt, ishte i theksuar qëndrimi autoritarist dhe besimi i verbërt për liderë të palëkundur, që janë krijuar vetëm për të mbrojtur interesat e “gjithkujt” e jo të vetat.

Ø

Botuar në gazetën: SHQIP & TemA (Tiranë) dhe EXPRESS (Prishtinë)