Tuesday, May 5, 2009

BASHKIMI EVROPIAN dhe KOSOVA

VALMIR ELEZI
- - -

Në kohën kur Evropa kishte rrezik të zhdukej siç thonin profecitë e shumta në lidhje me vdekjen e këtij Kontitneti të Plakur, kishte filluar të jetësohej ideja (e shprehur shekuj më parë nga shumë teoricienë) e një Evrope të bashkuar në dallueshmëri. I “lindur” pas Luftës së Dytë Botërore, preokupimi i tij, i parë, ishte që të bashkojë kombet dhe popujt e Evropës, e njëkohësisht të parandalonte më të keqen, e mundshme. Nuk i kam besuar asnjëherë asaj se, gjoja BEThÇ na qenka krijiuar për të pamundësuar forcimin e sërishëm të Gjermanisë (të mundur), për një arsye të vetme: në atë kohë, në të gjithë Evropën u vendos një sistem rigoroz i racionimit të ushqimit dhe tani në shumë vende racionet ishin më të vogla sesa në kohën e luftës. E, ai që humbiste triskat e racionit të ushqimit vuante nga uria.

Në fakt qëllimi i amerikanëve kur hynë në Luftën e II Botërore ishte: të fitonin luftën dhe të kthenin djemtë në shtëpi. Por, kur më 1948 Stalini i kishte thënë Kardelit ministrit të jashtëm të Jugosllavisë se, “ne kurrë nuk do të lëvizim nga Gjermania”, atëherë për amerikanët një qeveri policore nuk mund të mirëpritej dhe të pritej në heshtje pranuese.

Disa nga vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Edhe përkundër faktit se, disa nga vendet e kësaj organizate nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tashti. Është interesant edhe një fakt tjetër, mosnjohja deri më tashti e pavarësisë së Kosovës nga vendet e ndryshme islame, kur shqiptarët kanë qenë jo shumë kohë më parë, shpeshëherë të pafavorizuar për shkak të besimit (të të shumtës), që përkon me të tyre, dhe të etiketuar “padrejtësisht” si islamik fundamentalistë...

Për shumëkënd ideja e Bashkimit Evropian, respektivisht e ardhmja e tij, mund të jetë dyshuese. Këta i besojnë dyshimit të tyre, dhe besimin e gjejnë në shprehjen e dekartiane: “Mos dysho në dyshimin tënd”. Gjendja reale tregon se, slogani “të unifikuar në diversitet” nuk ka gjetur zbatueshmëri të theksuar. Lënja jashtë tij edhe Turqinë zbeh të tashmen e kësaj superstrukture shtetërore, më saktësisht domëthënien e këtij slogani. Ajo parashtroi kërkesë për pranim më 1987. Orari për Turqinë është më pak i qartë. Turqia është një prej partnerëve më të vjetër tregtar të BE-së, me një marrëveshje asocimi që nga 1963, që tashmë përfshin bashkimin edhe të doganave.

Edhe pse kërkohet që misioni EULex të funksionoj nën UNMIK, deri më tashti nuk është dhënë asgjë përfundimtare për mënyrën e fillimit të funksionimit të këtij misioni. Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë është i pari i këtij lloji, që pritet të praktikohet. Kësisoj, edhe në Kosovë, disa individë, grupe a çfarëdoqofshin, vetë misionin evropian e shohin me skepticizëm, shpeshëherë duke i dhënë tiparet që i përgjasojnë misionit të Kombeve të Bashkuara, respektivisht UNMIK-ut.

Për vazhdimin e misionit të UNMIK-ut (edhe nëse i rikonfiguruar paraqitet si “engjëll”) vlerësimi është i pavolitshëm, bazuar në atë se, demokracia në Kosovë (demokraci i thënqin) gjatë këtyre viteve të pasluftës ka qenë e pakontrolluar dhe me një kryeadministrator Kosova i ngjante një monarkie të vonuar, e paarsyeshme për vetë faktin se, në këtë vend që nga 99-ta kanë qenë të pranishme shtete që për nga regjimi janë demokraci liberale... Meqenëse qëllimi kryesor i shtetit është të rris mirëqenien e qytetarëve–shtetasve, misioni i Bashkimit Evropian mund të ndihmoj në këtë drejtim, por, jo edhe nën ombrellën e UNMIK-ut, për shkak që puna e tij nuk ka dhënë diçka të tillë. Sipas një profesori tim, kohëve të sotshme, shumë njerëz në perëndim, marrin gradën doktor shkence duke pasur për disertacion doktorature tema të natyrës për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ku për më tepër UNMIK-u që në Kosovë ka ardhur nga OKB, e që kjo e fundit është organizëm që ka për qëllim, ndër tjerash, mbikqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut. Andaj, vazhdimi i mëtejshëm i misionit të UNMIK-ut në Republikën e Kosovës, pas 15 qershorit, bënë që edhe misioni i Bashkimit Evropian të shihet me skepticizëm, me theks të veçantë i futur nën ombrellën e të parit.

Duke e cituar Pol Valeri se, “në histori nuk ka budallallëk më të madh sesa rivaliteti ndërmjet shteteve evropiane dhe se politika evropiane nuk përputhej me mendimin evropian si për sa i përket thellësisë së tij, ashtu edhe anës cilësore. Fuqia rrezatuese dhe e qëndrueshmërisë të qytetërimit të saj ishte shkatërruar nga grindjet e saj të brendhsme”. Pas Luftës së II Botërore, popujt e Evropës ishin duke paguar një çmim të lartë për grindjet ndërmjet vendëve të tyre. Kurse e ardhmja politke e Evropës (“fati i kontinentit”) vendosej ndërmjet Ëashingtonit dhe Moskës.

Kohëzgjatja për aderim, në të ardhmen, e Republikës së Kosovës në strukturat e kësaj superstrukture shtetërore, do të jetë edhe produkt i vetë Bashkimit Evropian. Sepse në njëfarë mënyre, Bashkimi Evropian përmes misionit të tij, është bashkëpjesëmarrës i projetimit dhe ndërtimit të së ardhmes së Kosovës!
- - -
Botuar në Express, 2008.

No comments:

Post a Comment