Tuesday, May 5, 2009

KOSOVA, MES TË SHKUARËS dhe TË ARDHMES?

VALMIR ELEZI
- - -

Ndodh te ne, që, të ardhmen ta paraqesin edhe si objekt të studimit të historisë, duke i thënë ‘historia e së ardhmes’ (pa kaluar e ardhmja), që njëherit rrëshqasin në një lluft logjik dhe në një paarsyeshmëri, që paraqet një shfaqje të hapur të injorancës. E kam dëgjuar aq shpesh saqë kam harruar edhe emrin se kush përshembull e përdori i pari. Apo s’ka aspak rëndësi…

Pra, vetëm e shkuara mund t’i kalojë historisë për studim. E ardhmja që është vetëm si e tillë nuk i takon historisë. E ardhmja bëhet objekt i studimit të historisë vetëm atëherë kur kalon dhe kur i kalon asaj. Pra, kur ajo bëhet e shkuar. E jo siç ndodh zakonisht që disa ‘të ardhmen’ e bëjnë objekt të studimit të historisë edhe atëherë kur është e tillë, pra, e ardhme, ajo që nuk dihet. Që, duke qenë e tillë, nuk mund të studiohet. Siç nuk mund të shkruash studimin për një betejë që nuk ka ndodhur kurrë.

Ngjarjet e kohëve të fundit kanë bërë që të mendojmë elementet mbi të cilat qenka i ndërtuar shteti i Kosovës. Kushtetuta e shtetit tonë e tregon më së miri këtë. Kosova nuk është e projektuar në bazë të së shkuarës, në bazë të sakrificës së brezave, në bazë të gjakut të dëshmorëve! Kosova është projekt i ndërtuar në të ardhmen, në bazë të asaj që do të ndodh. Përmes disa festave zyrtare ku bëjnë pjesë dita e dëshmorëve dhe e flamurit, ka mbetur lidhja e vetme e jona me të shkuarën, por, e pamjaftueshme për të mos i thënë këto. Merreni Preambulën (Pjesa Ideore) e Kushtetutës, aty duke mos shkruar për të shkuarën vë në pikëpyetje nëse ka ndodhur ndonjëherë. Në këtë Pjesë thuajse gjithçka është e përqëndruar në të ardhmen, fjala vjen sikurse në fillim të saj, e që është: “Ne, populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet”. Pra, për të ‘ndërtuar të ardhmen’, duke mos përmendur as këtu, por, as edhe në vazhdim ‘të kaluarën’.
Madje sikur Kosova të ndërtohej në bazë të konceptit të historisë, të gjakut të derdhur për këtë tokë, do të shpaloste një projekt ‘të të kundërtave’. Pse? Serbët e Kosovës “parapëlqejnë” projektin e shtetit të Serbisë, që e parasheh Kosovën si pjesë të saj, e dominuar nga jo shumica në këtë vend. Shqiptarët “parapëlqenin” projektin e shtetit kombëtar, ku do të dominonte shumica në këtë vend, dhe i ndërtuar në bazë të historisë së tij, që në ekzistencën e tyre njeh vetëm anën e errët të tyre. Natyrisht se, njerëzorja i përket shqiptarëve të Kosovës. Por, dihet që negociatat kanë sjellur edhe kompromisin (e dhimbshëm), duke “balancuar” zgjidhjen e kësaj çështjeje. Duhet pasur parasysh se, kjo zgjidhje nuk duhet të krijojë bindjen se, nuk mund të forcohemi si të tillë, dhe që, kjo do ta bëjë Kosovën një shtet të kufizuar, e që, nuk do të arrinte synimet për t’u forcuar të paktën për të qenë në gjendje të përballet me politikat grabitëse a jo humane të akademikëve kriminelë, të vendëve fqinje, që kanë pretendime territoriale, të ndërtuara nga ata, e më pas edhe të realizuara nga shteti.
Në romanin e tij të njohur “Tri këngë zie për Kosovën”, Ismail Kadare, përshkruan kontradiktat që kanë shoqëruar popullin shqiptar dhe atë serb, për shumë shekuj. Edhe atëherë kur guslari serb, Vladan, dhe lahutari shqiptar, Gjorg Shkreli, ishin në të njëjtën anë, pra kishin ardhur me princin dhe kontët e tyre, Llazarin dhe Gjergj Balshan, për t’i kënduar lavdisë së tyre, në luftë kundër armikut të përbashkët. Në natën e fundit para betejës së Kosovës, së bashku me ta, guslari serb dhe lahutari shqiptar kishin shkuar në shatorren e aleatëve, ku të gjithë ata ishin bashkë dhe kishin filluar të këndonin. Fillimisht, guslari serb këndonte: “Dilni serbë, se shqiptarët na e morën Kosovën”, dhe më pas lahutari shqiptar: “Ngrehuni shqiptarë, Kosovën po e merr shkjau”. Kjo tregon se, këngët shqiptare dhe serbe në çdo gjë janë të kundërta, por, edhe më shumë se, në një këngë.
Projekti i ndërtimit të shtetit të Kosovës, i menduar në disa parime të demokracisë liberale, ndër tjerash, të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk është në kundërshtim me mëtimet e shqiptarëve të këtij vendi, në të kaluarën. Lexojeni historinë tonë dhe do ta vëreni që, asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur as ambicie territoriale-pushtuese, as ekonomike, pra, nuk kanë zhvilluar luftëra për arsye të tilla, ose të një niveli të përafërt. Zakonisht kanë bërë luftëra për arsye se, kanë qenë të detyruar si pasojë e mungesës së këtyre lirive, fjala vjen, mungesa e të drejtave elementare për jetesë, për zhvillimin ekonomik, arsimor a politik, që njëherit, këto të drejta, parashihen edhe në dokumente relevante ndërkombëtare.

Janë dy çështje që rrallëherë thuhen në lidhje me këtë. Çështja e parë është se, të gjithë e dimë këtë. Dhe, çështja e çështjes së dytë është se, a do të thotë kjo që, kemi filluar të mësohemi me këtë?
- - -
Botuar në TREND, 19 mars 2008, dhe Express 26 mars 2008.

3 comments:

  1. Z. ELEZI.

    JU PERGEZOJ PER SHKRIMET, DITURITE QE KENI DHE MENYREN SE SI I ELABURONI QESHTJET.

    UNE JAM NJE ADHURUES I IDESE SE BASHKIMIT KOMBETAR. PER KETE ARSYE PAJTOHEM ME MENDIMIN TEND SE "Përmes disa festave zyrtare ku bëjnë pjesë dita e dëshmorëve dhe e flamurit, ka mbetur lidhja e vetme e jona me të shkuarën, por, e pamjaftueshme për të mos i thënë këto".

    JU DESHIROJ SUKSESE TJERA.

    ALBANI

    ReplyDelete
  2. I dashur Alban.

    Të falemnderit për komentin Tuaj dhe për vlerësimet.
    Ju mirëpres me komente tjera.

    Sinqerisht,
    V@lmiri.

    ReplyDelete
  3. Tung.
    Po me bajne shume pershtypje shkrimet e ketij djaloshi. Shume pak me ndodh me lexue shkrime kaq bukur te shkruara, e me shume kujdes.
    Me pelqen shume gjuha e zgjedhur dhe e paster shqipe.
    Kjo e bene nje te ri te kete shume perspektive ne kete fushe.

    Nga Intelektuali.

    ReplyDelete