Tuesday, May 5, 2009

PARAJSA KA HUMBUR?

VALMIR ELEZI
- - -

Ka shumë e shumë shkencëtarë që janë munduar e po mundohen ta gjejnë vendndodhjen e “parajsës së humbur”, të ashtuquajtur Kopsht i Edenit, ku mendohet të kenë jetuar dy njerëzit e parë, duke e sprovuar vetën përmes krijimit të hartave nga më të ndryshme, por, zor që të bien në një mendje.
“Parajsa në LDK” po përcaktohet “në të shkuarën”, edhe pse jetojnë ende disa që i kanë takuar asaj. Madje, për disa është sikur kurrë nuk kanë qenë në të. Kjo ka filluar edhe largimin e disa individëve nga zyrat, pasi nënkuptohet nga “shokët” e tyre se kanë qenë shkaktarë të prishjes së temperaturës konstante.
Adami dhe Eva nuk jetojnë më, dhe për faj të tyre të tjerët duhet të jetojnë jetën e (pa)përballueshme, që sigurisht nuk është idile. Por, Jehovai (sipas të krishterëve) nuk e ka harruar qëllimin e tij për tokën. Ai ka premtuar se do ta kthejë atë në një parajsë, ku njerëzit do të jetojnë përgjithmonë. Si do të arrihet kjo? Sipas një këndëvështrimi fetar (s’ka rëndësi nëse citoj nga njëri apo tjetri konfesion, se, në fund të fundit, më duket se të gjithë flasin për diçka që ka humbur) para se kjo tokë të bëhet parajsë, duhen shfarosur njerëzitë e ligj nga Perëndia.
Konkurrenca (e fortë brenda llojit) për kryetar të kësaj partie bëri që në njërin nga kuvendet zgjedhore të saj, të ndodhte ajo që në asnjërën prej subjekteve politike në Kosovë nuk ka ndodhur, madje, ishte i çuditshëm fakti që kjo ngjante në Lidhjen Demokratike të Kosovës! Tashmë dihet se “kuvendi i rrahjeve me karrige” çoi në ndarjen e saj në dysh. U largua Daci, i mundur nga Fatmir Sejdiu që vjen nga Pakashtica e Podujevës, që ky i fundit, si garant i Kushtetutes duhet po ashtu të jetë simbol i respektimit të saj, po bën të kundërtën, atë që nuk ia ka mësuar as profesioni i tij si shkencëtar i shkencave juridike.
Ndoshta është mirë që “të mebetet mes shqiptarëve” që doktor Sejdiu për studime të thelluara ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2) dhe në ShBA (Arizona State University), dhe që, ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike-historike dhe juridike-kushtetuese. E, mos të harrojmë ta mbajmë të fshehur që, është edhe autor i disa librave të veçantë nga këto fusha.
Veprimi i shkencëtarëve dhe shkrimtarëve, duke u munduar kaq shumë të japin mendime për vendndodhjen e parajsës tokësore, bëri që kjo të humbiste efektin e saj origjinal, nostalgjinë për pastërtinë e humbur. Andaj, për disa emra mitik që u përmendën këtu nuk është e rëndësishme forma e emërtimit të tyre, sepse theksin duhet ta vendosim më shumë për domëthënien e asaj që kanë shkaktuar.
Edhe Servantesi te “Don Kishoti” ka shkruar për këtë gjë. Sanço takohet me një fqinjin e tij të vjetër, arapin Rikote, i cili pasi u shpërngul nga Spanja, ishte kthyer në vendlindjen e tij si pelegrin. “Për disa ishte një dënim i drejtë ai i dëbimit, por për ne ishte dënimi maksimal”.
Servantesi i rrebeluar me romanet kalorsiake të kohës së tij, kishte nisur personazhin e vet për të ndrequr padrejtësitë e botës.
Sa keq që në LDK nuk ka një të tillë. Por, edhe sikur të kishte rezultati do të ishte i njëjtë, ngaqë, diku dergjet Don Kishoti, kishte me vete një kal fort të zotin.
Dikur Rugova kishte krijuar një gjendje paqeje përbrenda këtij subjekti, por, që në kuvendin e parë të kësaj partie (pa të) “zëri i Demonit” filloi të dëgjohej. Në fushatën për zgjedhjet e nëntorit, LDK dhe LDD përdorën për imazh figurën e një njeriu që nuk jetonte më. Kjo tregonte më shumë mungesën e një figure unifikuese pas Rugovës, sesa që e bënte për të nderuar atë, i cili, për shumë kohë kishte mbuluar plasaritjet dhe një lloj fragjiliteti brenda partisë, të cilës, portreti i një njeriu të tillë i duhet më së shumti tashti. Gjatë kohës së Rugovës, LDK ka pasur një përparësi në krahasim me të tjerat, saqë, shumëkush ka dashur të “shëtiste” nëpër të.
Në LDK shkaktarin e kësaj gjendje filluan ta kërkonin (edhe) jashtë saj, duke harruar të shikonin brenda. Sepse, dy veta ishin në parajsën tokësore. Prandaj, ku ishe ti, Adam, kur Eva nuk sillej mirë? Përgjigjja është se, të dy bashkë mëkatuan dhe “u larguan” nga kopshti i parajsës.
Andaj, i dashur lexues duke menduar që këta rreshta do të mbeten mes nesh, kisha dëshiruar që (mos) të veproni sikurse John Milton që vajtonte “parajsën e humbur”, madje (mos) kërkoni për të!
- - -
Ky artikull ëwshtë botuar në “JAVA”, “Express”, “InfoPress” & “55-a

No comments:

Post a Comment