Tuesday, May 5, 2009

NËN HIJEN E MURIT TË BERLINIT?

VALMIR ELEZI
- - -


Astrid, një studente gjermane që punonte si kamariere në një lokal, në Berlinin Perëndimor (pak metra larg kufirit që kishte ndarë Gjermaninë dhe botën në përgjithësi), kur dëgjoj se, do të hapej muri i Berlinit, mendoj të shërbente pije edhe për ushtarët kufitarë, të cilët nuk kishin ide se, çfarë do të ndodhte dhe kësisoj nuk i pranuan pijet. Por, disa orë më vonë, gjermanët mund të kalonin lirshëm në të dyja anët. Dhe ky kalim u shëndërrua si formë pelegrinazhi, që grisi ‘perden e hekurt’.
E fillova këtë shkrim, me këtë titull pyetës, me qëllim që të bëjë një pyetje tjetër, më vonë!
Të pakënaqur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, serbët, në Serbi dhe në Kosovë vijojnë të shfaqin paknaqësinë, duke protestuar (edhe në forma të ndryshme), gjë që thuajse askush nuk e kishte parashikuar, këtë mënyrë të shfaqjes së mllefit shkaku i humbjes së ‘djepit’ të tyre.
Vendosja e barrikadave nga ana e ruajtësve të rendit pikërisht mbi urën e lumit Ibër dhe duke ‘mos’ qenë në pjesën e protestuesve serbë (jo për të protestuar me ta) kanë lejuar të ‘’shqetësohet’’ opinioni se, gjoja këtu përfunduaka kufiri i Republikës së Kosovës. Madje policët e UNMIK-ut, në njërën nga protestat kishin marrë edhe nga një foto si kujtim, për shërbimin e tyre, që u tregua se, mund të kushtojë me jëtë, siç i ndodhi një polici ukrainas.
Shpallja e pavarësisë nënkupton që pavarësia dhe sovraniteti i shtetit tonë, të vlejë për një territor me një siperfaqe afër njëmbëdhjetmijë kilometra katrorë. Por, në anën tjetër, pamja reale që e marrim nga veriu i Kosovës, lejon të bindesh, për mungesën e ushtrimit të sovranitetit nga organet përfaqësuese dhe shqetësimi është bindës. Disa përpiqen që këtë gjendja ta shfrytëzojnë për kredo politike, duke harruar që paraprakisht edhe ata kishin qenë pjesë e një rrugëtimi të tillë. Kam bindjen se, cilido që kishte qenë sot në drejtimin e shtetit të Kosovës do të përballej me mungesën e mundësisë për të vepruar si sovran, në atë që sot mund të quhet i tillë. Është interesant edhe reagimi i disa lidervë të serbëve të Kosovës, në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe të 11 majit, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kësisoj, Rada Trajkovic, për dallim nga kolegët e saj Oliver Ivanovic dhe Nebojsa Jovic, është shprehur se, nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, që sipas saj nuk paraqesin ndonjë zgjidhje për popullin serb të lënë jashtë Serbisë, duke mos mohuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet parlamentare...
Monument i rëndësishëm ballkanik, është edhe Ura e Mostarit. Ajo është emblemë e qytetit, që ka marrë emrin e saj. Arkitekti osman Mimar Hajrudin e ndërtoi atë në mes të viteve 1556–1566. Ura e Mostarit llogaritet të jetë ura më e gjatë harkore nga guri, në botë, dhe atë me vetëm një hark. Nga koha e përfundimit të luftës në Bosnjë deri më 2004, me ndihmën e UNESCO-s dhe të Bankës Botërore janë riparuar dëmet e shkaktuara nga lufta, në atë vend. Diku në mes të vitit 2004, në praninë e përfaqësuesve të 60 shteteve, ajo është hapur në mënyrë solemne. Nga korriku 2005, ajo është trashëgimi kulturore e botërore. Ura e Mostarit është konsideruar si simbol i pajtimit dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo edhe më tutje e mban epitetin e simbolit të bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme kultutore, fetare dhe etnike.
Pamja që ne e marrim nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, ‘radikalisht’ ndryshon nga domethënia e urave, qëllimi kryesor i të cilave është bashkimi, e jo ndarja. Dikur edhe Ura e Mostarit kishte pamjen e njëjtë me atë të urës mbi lumin Ibër. Ajo, sot bashkon pjesë të Federatës Boshnjake! Bosnja akoma vazhdon të qëndroj pezull sa i përket zgjedhjes së qëndrueshme dhe përfundimtare të statusit të saj politik. Konstitucionalisht, Bosnja tashti nuk ka një sistem unik kushtetues, sepse, sistemi kushtetues i këtij vendi përbëhet nga tri kushtetuta themelore...
Rrjedhimisht, pyetja që bëhet është se, a e kemi humbur atë që nuk e kemi? Është shqetësuese apo bindëse kjo gjendje, sigurisht pritet të shihet në të ardhmen e afërt, në rast se, jemi dëshmitarë të vërtetimit të domëthënies së urave, por, jo sikurse Ura e Mostarit (bazuar në një shpjegim më ndryshe, jo vetëm në domethënien e saj të ‘zakonshme’, të bashkimit apo lidhjes), në Federatën Boshnjake. Por, në atë që, boshnjakët falenderojnë perëndimin për ndalimin e luftës por, jo edhe për zgjedhjen ‘e gjetur’!
- - -
Botuar në gazetën “Express” (Prishtinë) – 23 prill 2008 & “Gazeta 55” (Tiranë) – 23 prill 2008

No comments:

Post a Comment