Tuesday, May 5, 2009

SHQIPËRIA, GJENDJA NATYRORE DHE PADREJTËSI: E KONTRAKTUAR

VALMIR ELEZI
- - -

Ngjarja tragjike që ndodhi në fshatin Gërdec, afër Tiranës, ka tronditur jo vetëm opinionin e gjerë të këtij shteti por, edhe më gjerë.
E vetmja gjë që dua të absolutizojë këtu është kjo se, "Absolutisht, nuk duhet të absolutiozohet asnjë cilësi". Ne shihnim kryeminstrin Berisha, të shtetit amë, i cili si personi më me pushtet (konstitucionalisht), nuk ia kishte idenë se sa kishte të punësuar aty, dhe këtë informacion e merrte nga njerëzit e hospitalizuar, të traumatizuar, në vend se ata t’i pyeste në mënyrë të theksuar për shendetin e tyre. Shqipëria një vend që synon t’i bashkangjitet Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kthen ecjen e saj prapa?!
Tre autorë të mëdhenjë që kanë hyrë në historinë e mendimit politik, Thomas Hobbes, John Locke dhe Jean Jacques Rousseau, kanë shpjeguar mënyrën e krijimit të shoqërisë civile, nga primitivizmi (gjendja natyrore).
Thomas Hobbes, ka shpjeguar se, në një gjendje anarkike (në këtë rast, primitive, pa pushtet) mbizotëronte frika e vazhdueshme nga rreziku i vdekjes së dhunshme, ndërsa në jetën e njeriut kishte vetëm varfëri dhe keqdashje. Për t’iu shmangur jetës së tillë në kushte anarkie, pasoja kryesore e të cilave është konflikti i gjykimeve individualiste dhe egoiste të së drejtës, njerëzit ndoqën diktatin e ligjeve natyrorë (ligji i parë i natyrës, është se çdo njeri duhet të ‘kërkojë paqen dhe të ndjekë atë’, ndërsa ligji i dytë i natyrës, thotë se, ‘çdo njeri ka dëshirë të jetë i kënaqur, që liria, që ai ka mbi të tjerët, të jetë e barabartë me atë që të tjerët e kanë mbi të) duke kërkuar paqe, duke mohuar disa të drejta dhe liri, duke hyrë në një marrëdhënie shoqërore, nga e cila krijuan një njeri artificial, ‘Leviatanin’, të quajtur shtet (comonvelth).
John Locke në veprën e tij, ‘Dy traktate mbi qeverisjen (civile)’, ka shpjeguar më ndryshe jetën në ‘gjendjen natyrore’ , dhe për dallim nga Hoobes-i, ku mbizotëron ‘lufta e të gjithëve kundër të gjithëve’, tek i pari (në këtë fjali), në gjendjen natyrore kemi nje gjendje të paqes, të vullnetit të mirë, ndihmës së ndërsjellë, e poashtu edhe të mbrojtjes së ndërsjellë. Pra, në gjendjen natyrore, njerëzit jo vetëm janë të lirë por, edhe të barabartë
Kurse, Jean Jacques Rousseau, në veprën e tij, ‘Kontrata Sociale’, i cili akuzonte civilizimin modern për pabarazitë e shumta midis njerëzve, konsideronte se, në ‘gjendjen natyrore’, të gjithë njerëzitë ishin të lirë dhe të barabartë, ku kanë ekzistuar vetëm pabarazitë fizike, shëndetësore, të moshës, etj.
Prapëseprapë, duhet t’i rikthehem mosabsolutizimit të këtyre cilësive, për faktin se, në një gjendje të tillë anarkike, nuk kishte as art, as germa e as shoqëri, dhe në Shqipëri funksionojnë në mënyrën e tyre. Porse, është e pamunudur që të mosthuash se në këtë shtet, ka hyrë frika e vdekjes në palcë dhe kësisoj, jeta është bërë e pasigurtë, sikur dikur. Fjalët ‘e drejtë’ dhe ‘liri’ thuajse nuk gjejnë vend në një shtet të tillë.
Njerëzit e ditëve të sotshme, në letra dallojnë me të vërtetë nga primitivët, por, edhe ligjet e krijuara nga vet ata, shpeshëherë mbesin e ‘zeza mbi të bardhë’ duke thyer ato, dhe në këtë rast ngushëllojnë vetën me një thënie se, "Rregullat janë bërë për t’u thyer".
Këta tre autor edhe pse dallojnë theksueshëm në pikëpamjet e tyre për format e qeverisjes, një gjë i bashkon, se, që të tretë pajtohen se njerëzitë përmes një kontrate, kaluan nga gjendja natyrore (pa pushtet) në një gjendje shoqërore (me pushtet).
Shqipëria një vend ku jeta e qytetarit të saj shpeshëherë vihet në pikëpyetje, me mirëqenie jashtë çdo standardi (të vendëve ku synon të aderojë), në vlerësime të shumta e renditur ndër vendet e para me korrupsionin e theksuar, e cila llogaritet si krah i fuqishëm i çështjeve aktuale shqiptare (gjendja post statusore e Kosovës, çështja e shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe çështja e minoritetit Çam), do të ‘rikthehet’ në rolin e vëzhguesit pasiv, ngase ekziston rreziku i humbjes së besimit në institucionet e saj, nga jashtë kufinjëve.
Pikën mbi ‘i’ e vendosi edhe absurditeti i gazetares së zgjuar, Rudina Gjunga e cila në mënyrë banale, në fund të emisionit të saj ‘’Shqip’’, u shpreh për ngjarjen tragjike të Gërdecit, duke thënë se, ky 15 mars le të jetë për shqiptarët, një 8 mars sikurse për botën perëndimore. Bota shumë kohë më parë ka mësuar nga tragjeditë e tilla, mbase edhe më tragjike sesa kjo e Gërdecit, por, sipas Gjungës, duhet që ne ta ndiejmë në kurrizinin tonë në mënyrë që të vetëdijësohemi. Gjunga, ndër tjerash edhe një poete, besoj që e ka lexuar, se, duhet mësuar nga fatkeqësitë e të tjerëve, në mënyrë që gabimet e të tjerëve të mos përseriten, dhe një fjalë e tillë nuk duhet përligjur...
Dhe, kur kryeministër ishte Fatos Nano, në kohën e një tregjedie tjetër, më 2004, një deputet nga radhët e kryeministrit të tanishëm shqiptar, asokohe në parlament kishte recituar vargjet e epikut, Fishta: ‘’Qaj për ty moj Shqipni e derdhun n’lot se ditë gzimi skam un sot’’. Këtë gjë mund ta bëjnë edhe kundërshtarët e Berishës sot, pas Gërdecit, të përfitojnë politikisht mbi fatin e keq të të tjerëve. Dhe nëse thonë se, kjo e fundit është e pavërteta më e madhe. Bindem se, kjo është gënjeshtra më e madhe!
- - -
Botuar në gazetën “EXPRESS” (Prishtinë) – 23 mars 2008

No comments:

Post a Comment